për ortodoncinë

Për
Ortodoncinë

Ortodoncia është degë e stomatologjisë e cila merret me studimin e rritjes së dhëmbëve, nofullave dhe fytyrës dhe me studimin dhe trajtimin e malokluzioneve (dhëmbëve të shtrembërt-kafshimeve të çrregullta). Fjala Ortodonci ka origjinë Greke, nga fjalët ortos-drejtë ose i/e rregullt dhe nga fjala odus- dhëmb. Malokluzionet mund të paraqiten për arsye gjenetike, ose të shkaktohen nga faktorët e jashtëm. Ato mund të manifestohen si çrregullim i rradhitjes së dhëmbëve, disproporcion i dhëmbëve ose/dhe i nofullave, diskrepancë e raporteve ndërnofullore etj.
Edward Angle (Eduard Engël), dentist Amerikan, ishte i pari që jo vetëm se e definoi Ortodoncinë si një lëmi të re, por gjithashtu dha kontribut të madh në zhvillimin e mëtutjeshëm të ortodoncisë. Ai konsiderohet si “Babai i Ortodoncisë”.
Ortodoncia ka evoluuar gjatë shekullit XX, e posaçërisht në vitet e para të këtij mileniumi. Teknika të reja dhe materiale moderne e kanë përmirësuar tërë procesin, si në pikëpamje diagnostike, ashtu edhe në atë terapeutike.

Për Fëmijë
dhe të rritur

Më së miri është që fëmijët të vizitojnë ortodontin deri në moshën 7 vjeçare, në mënyrë që të marrin mendim për trajtimin eventual ortodontik. Molarët e parë të përhershëm (dhëmballa e parë) dhe incizivët (4 dhëmbët e përparmë) zakonisht veçse kanë dalë deri në këtë moshë dhe si rrjedhojë mundësojnë vlerësimin e problemeve eventuale. Kur trajtimi fillohet herët, ortodonti mund të orientojë rritjen e nofullave dhe daljen e dhëmbëve të përhershëm. Trajtimi i hershëm mund ta rregullojë gjerësinë e harkut të sipërm dhe të poshtëm, mund të krijojë hapësirë për dhëmbët e përhershëm, mund ta eliminoje nevojën për ekstrakcionin (nxjerrjen) e dhëmbëve të përhershëm, mund ta reduktojë shansën e impakcionit (kur dhëmbët mbeten në nofullë- nuk dalin), të korrigjojë thithjen e gishtit/gishtërinjëve dhe të eliminojë gëlltitjen abnormale, ose problemet në të folur. Me fjalë të tjera, trajtimet e hershme mund të eliminojnë, ose lehtësojnë trajtimet eventuale në të ardhmen.

Planifikimi i hershëm mund t’ju shpëtojë buzëqeshjen në të ardhmen

Fëmijët rriten shpejt dhe mund të përfitojnë shumë nga trajtimet ortodontike me ndihmën e aparateve të cilat e orientojnë rritjen e nofullave. Kështu, mund të krijohet një bazë e mirë e cila siguron hapësirë adekuate për të gjithë dhëmbët e përhershëm. Kjo mund të parandalojë ekstrakcionin(nxjerrjen) e dhëmbëve të përhershëm dhe mund të korrigjojë dendësinë dhe/ose procedurat kirurgjike. Nëse këto situata lihen të patrajtuara deri në momentin e daljes së dhëmbëve të përhershëm, mund të ketë si pasojë diskrepancë aq të madhe të nofullave sa që edhe me terapi fikse mund të jetë vështirë të arrihet rezultat ideal.

ortodoncia
për të rritur

Trajtimet ortodontike mund të aplikohen në çdo moshë. Të rriturit e çmojnë edhe më shumë buzëqeshjen e bukur. Një në pesë pacientë në ortodonci është mbi 21 vjeç. Operacionet kirurgjike të nofullave janë të nevojshme më shpesh te të rriturit, për arsye se nofullat e tyre e kanë përfunduar rritjen. Të rriturit poashtu mund të kenë përjetuar ndonjë dëmtim, ose humbje të dhëmbëve dhe strukturës kockore e cila i rrethon dhe mund të kenë nevojë për trajtim parodontologjik (për mishin e dhëmbëve dhe strukturën fqinje), para, gjatë dhe/ose pas trajtimit ortodontik. Humbja e kockës mund të kufizojë gjithashtu sasinë dhe drejtimin e lëvizjes së dëshiruar të dhëmbëve.

Një rol tjetër shumë i çmuar është trajtimi ortodontik ndihmës në rastin e pacientëve të protetikës. Këto lloj trajtimesh përgatisin (forcojnë) dhëmbët për konstrukcione protetike.

Analizat-të dhënat individuale për çdo rast e përcaktojnë trajtimin tuaj unik

Dosja me të dhëna ortodontike është e nevojshme për ta përcaktuar llojin e trajtimit, aparatet të cilat do të përdoren, kohëzgjatjen e tretmanit dhe frekuencen e vizitave. Të dhënat përfshijnë: modelet e dhëmbëve, rentgenin e nofullava dhe dhëmbëve-Ortopanin dhe fotografitë. Në raste të veçanta është i nevojshëm edhe Cefalogrami (rentgeni i kokës, kryesisht në profil).

Mirësevini

në ordinancën specialistike "ortodoncia"